Sulmuesi francez Randal Kolo Muani pritet të largohet nga Tottenham Hotspur në fund të sezonit dhe të rikthehet te Paris Saint-Germain, megjithatë trajneri Luis Enrique nuk ka plane ta mbajë në skuadër, sipas raportimeve të gazetarit Nicolo Schira.
Kolo Muani, i cili u bashkua me Tottenhamin në huazim verën e kaluar, po shqyrton një tjetër largim nga Parisi, ndërsa interesim për të kanë shfaqur klube nga Serie A dhe Premier League, përfshirë edhe Juventus. Burimet raportojnë se PSG e vlerëson kartonin e tij rreth 40 milionë euro.
Sulmuesi 27-vjeçar këtë sezon ka zhvilluar 37 ndeshje, duke shënuar 5 gola dhe dhënë 4 asistime. Fillimisht, PSG kishte ofruar rreth 95 milionë euro për transferimin e tij nga Eintracht Frankfurt, ndërsa vlera aktuale e tij sipas Transfermarkt është rreth 22 milionë euro. Kontrata e tij me klubin francez është e vlefshme deri në vitin 2028.
E ardhmja e Kolo Muanit pritet të jetë një nga temat kryesore të merkatos së verës, me disa klube që tashmë kanë nisur kontaktet paraprake për transferimin e tij.