Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, kontratë në vlerë prej 12 milionë eurosh.
Rama dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas intervistimit, ai ka thënë se i takon Prokurorisë të hetojë nëse gjatë realizimit të këtij projekti ka pasur shkelje ligjore.
“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë përkundër faktit që disa si kryeministri që nuk shkojnë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë sepse kështu zhvillohet shteti demokratik”, ka deklaruar Rama.
Rasti lidhet me kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, për të cilën KOHA kishte raportuar në qershor të vitit 2024 se Komuna e Prishtinës dyshohej se kishte shkelur Ligjin e Prokurimit Publik që në fillim të procesit të tenderimit.
Sipas raportimit, konsorciumi fitues, i përbërë nga kompanitë “Anarch” dhe “Ardi Ç”, kishte dorëzuar sigurimin e tenderit në vlerë prej 12 mijë eurosh, shumë kjo dhjetë herë më e ulët se minimumi i kërkuar me ligj.