Paris Saint-Germain ka nisur lëvizjet për transferimin e Federico Valverdes.
Sipas raportimeve të El Chiringuito, drejtori sportiv i klubit francez, Luis Campos, ka kontaktuar njerëzit e afërt të mesfushorit të Real Madridit për të mësuar më shumë rreth situatës së tij. Megjithatë, gazetari Marcos Benito ka bërë të ditur se kjo nuk nënkupton se madrilenët janë të gatshëm ta shesin lojtarin, ndërsa as vetë uruguaiani nuk dëshiron të largohet nga “Santiago Bernabéu”.
“Kjo nuk do të thotë se lojtari dëshiron të largohet ose se Real Madridi i ka thënë diçka të tillë”, deklaroi Benito.
Raportimet e fundit kanë ndezur spekulimet rreth së ardhmes së Valverdes; madje disa media kanë aluduar për një largim të mundshëm pas zërave për një përplasje me Aurélien Tchouaménin. Në rast se Reali vendos ta shesë, kartoni i 27-vjeçarit mund të kapë vlerën nga 80 deri në 100 milionë euro.
Valverde është pjesë e ekipit të parë të Real Madridit që nga viti 2018, ndërsa këtë sezon ka zhvilluar 48 ndeshje, duke shënuar 9 gola dhe duke dhënë 13 asistime. Kontrata e tij me klubin spanjoll është valide deri në vitin 2029.