Errët
Ndritshëm

Senegali kërkon hetim ndërkombëtar për vendimin e CAF

18.03.2026
Aa1yrdxe

Senegali reagon ashpër ndaj CAF-it: “Vendim i paprecedentë që shkel etikën sportive“.

Qeveria e Senegalit ka reaguar zyrtarisht pas vendimit që titulli i Kupës së Afrikës 2025 t’i jepet Marokut. Kujtojmë se përfaqësuesja e Senegalit, e cila e kishte fituar ndeshjen 1-0, u dënua me humbje teknike pasi u largua nga fusha gjatë takimit.

“Qeveria e Senegalit shpreh indinjatën e saj të thellë ndaj vendimit të Jurisë së Apelit të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), që ia heq titullin Senegalit dhe ia jep atë Marokut. Ky vendim i paprecedentë dhe jashtëzakonisht serioz shkel drejtpërdrejt parimet themelore të etikës sportive, drejtësinë, ndershmërinë dhe respektin për rezultatet e arritura në fushë. Ai buron nga një keqinterpretim i qartë i rregullave, duke prodhuar një vendim që bie ndesh me drejtësinë dhe barazinë.”

“Duke vënë në pikëpyetje rezultatin e një ndeshjeje të luajtur dhe të fituar sipas rregullave, CAF po dëmton seriozisht reputacionin e saj dhe po minon besimin e popujve afrikanë te institucionet sportive. Senegali nuk mund të lejojë që një vendim administrativ të fshijë përkushtimin, meritën dhe suksesin sportiv që ka treguar ekipi ynë.”

Senegali ka kërkuar një hetim të pavarur ndërkombëtar për pretendimet mbi korrupsion brenda organeve drejtuese të CAF-it, duke paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë institucionet ndërkombëtare (si TAS/CAS), për të rikthyer drejtësinë.

Qeveria gjithashtu shprehu solidaritet me qytetarët senegalezë të ndaluar në Marok pas incidenteve gjatë finales, duke theksuar se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e ekipit kombëtar dhe të rikthejë nderin e sportit afrikan.

Errët
Ndritshëm