Errët
Ndritshëm

Kurti: Presim ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj Kosovës

31.10.2026

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka folur për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat, sipas tij, sollën ndryshime të rëndësishme në skenën politike të vendit fqinj, si dhe për rezultatin e arritur nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kurti ka theksuar se Koalicioni Shqiptar ka arritur të marrë 27.670 vota, duke siguruar dy mandate parlamentare dhe duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000.

“Të dielën që lamë pas, në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat sollën rezultate historike për shqiptarët dhe ndryshime të rëndësishme politike në fqinjin tonë verior. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, plot 1.233 më shumë se në vitin 2020, duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve që nga viti 2000 dhe duke siguruar dy mandate parlamentare”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka vlerësuar edhe bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke thënë se rezultati i arritur është dëshmi e vendosjes së interesit të përgjithshëm mbi atë partiak.

“Shqiptarët, ndonëse pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi, u renditën të dytët për nga votat dhe të parët, së bashku me hungarezët, për nga mandatet ndër 9 listat e pakicave kombëtare. Ky rezultat është fryt i përbashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, përkundër dallimeve ndërmjet tyre, vendosën interesin e përgjithshëm mbi atë partiak. Për këtë i falënderoj drejtuesit e secilit subjekt politik, kandidatët, aktivistët dhe qytetarët që e bënë të mundur këtë arritje”, është shprehur ai.

Errët
Ndritshëm