Errët
Ndritshëm

Nis inspektimi në Klan Kosova: Dorëheqja e shtatë gazetarëve çon shtetin në redaksi

31.10.2026

Inspektorati Qendror i Punës ka nisur inspektimin në Klan Kosova pas pretendimeve për shkelje të të drejtave të punonjësve.

Ditë më parë, shtatë gazetarë të portalit Klan Kosova u detyruan bashkërisht të japin dorëheqje, si pasojë e mospërfilljes së “kërkesës sonë për kompensim shtesë për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm në mbulimin dhe raportimin e formatit Big Brother VIP Kosova”.

Genita Ukaj, Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum Gashi, Albert Bajrami, Kasim Gërbeshi dhe Endrit Krasniqi janë emrat e gazetarëve që u përballën me këtë situatë të papritur.

“Inspektimi është iniciuar në bazë të ankesave të pranuara me shkrim dhe raportimeve publike për shkeljet e pretenduara nga punëdhënësi”.

Inspektorati Qendror i Punës tha se do të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe, varësisht nga gjetjet e inspektimit, do të ndërmarrë masat përkatëse ligjore.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas largimit të menjëhershëm nga puna të shtatë gazetarëve nga portali klankosova.tv.

Errët
Ndritshëm