Barcelona është në kërkim të lojtarëve për të përforcuar repartin ofensiv, veçanërisht në krahë. Sipas Mundo Deportivo, klubi katalanas ka vënë në shënjestër anësorin e Chelseat, Pedro Neto.
Raportet e skautëve për Neton janë pozitive dhe është e qartë se ai mund të përmirësojë lojën sulmuese të Barcelonës. Vëzhguesit kanë theksuar aftësinë e tij për të luajtur me të dyja këmbët, gjë që e lejon të shkëlqejë në të dy krahët e sulmit.
Një aset i rëndësishëm në çdo negociatë mund të jetë agjenti i tij, Jorge Mendes, i cili ka lidhje të forta me drejtuesit aktualë të Barcelonës dhe me drejtorin sportiv, Deco. Megjithatë, për momentin klubi po e ndjek nga afër lojtarin, në rast se vendos të bëjë një ofertë zyrtare.
Një nga pengesat kryesore mund të jetë çmimi që Chelsea do të kërkojë për të. “Blutë” paguan 60 milionë euro për portugezin në vitin 2024, ndërsa sipas Transfermarkt, 26-vjeçari vlerësohet ende me të njëjtën shumë.
Vlen të theksohet se Pedro Neto këtë sezon ka luajtur 42 ndeshje, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë 6 asistime. Kontrata e tij me Chelsean është e vlefshme deri në vitin 2031, ndërsa me përfaqësuesen e Portugalisë ai ka shënuar 2 gola në 21 paraqitje.