Zyrtarët e institucioneve të Kosovës do t’i mbajnë të fshehta diskutimet për strategjinë shtetërore lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.
Kështu ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar mirëkuptim nga mediat për natyrën konfidenciale të punës së grupit strategjik.
Ai ka thënë se grupi është konstituuar javën e kaluar, janë miratuar rregullat e punës dhe është formuar edhe një grup punues, i cili do t’i përmbledhë propozimet e institucioneve në një dokument të përbashkët.
Në këtë grup janë të përfaqësuara Qeveria, Presidenca, Kryesia e Kuvendit, katër grupet parlamentare dhe përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë, përveç atij serb.
Konjufca ka njoftuar se mbledhja e ardhshme do të mbahet të shtunën dhe do të zgjasë disa orë. Aty pritet të shqyrtohen dhe të harmonizohen dokumentet e përgatitura nga institucionet, si hap drejt hartimit të strategjisë gjithëpërfshirëse.
Sipas tij, kjo strategji synon koordinimin e të gjitha strukturave shtetërore për procesin e apelit në Hagë.
“Veprimtaria e këtij grupi do të jetë goxha konfidenciale. Punimet tona nuk mund të jenë të hapura”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka paralajmëruar se edhe komunikimi me gazetarët do të bëhet sipas disa rregullave të caktuara, për të cilat, sipas tij, janë pajtuar të gjithë anëtarët e grupit.
“Qëllimi është që me e fituar rastin në procesin e apelit”, ka thënë Konjufca.