Errët
Ndritshëm

Rezultate alarmante në PISA, Kosova e fundit në rajon

08.09.2026

Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet me rezultatet më të dobëta në testimin ndërkombëtar PISA.

Nxënësit kosovarë, për vitin 2025, morën 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë.

Krahasuar me vitin 2022, shkenca mbeti në të njëjtin nivel. Leximi ra me dy pikë, ndërsa matematika me pesë.

Këto rezultate e lënë Kosovën të fundit në rajon. Ajo është pas Kroacisë, pas Malit të Zi, Shqipërisë si dhe prapa Maqedonisë së Veriut.

Për më tepër, Republika më e re në Evropë renditet dy vende më keq se Palestina, e cila prej viteve përballet me gjenocidin nga Izraeli dhe është gati komplet e shkatërruar.

Ekzistojnë dy shifra, të cilat tregojnë qartë thellësinë e problemit.

Asnjë 15-vjeçar në Kosovë nuk është mes më të mirëve në botë në asnjë fushë.

73.8% e nxënësve mbeten nën nivelin bazë. Kjo do të thotë se tre nga katër fëmijë nuk zotërojnë as kompetencat minimale për moshën e tyre.

Në nivel global, renditja kryesohet nga Kina dhe Singapori.

Errët
Ndritshëm