Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratave të fundit të disa deputetëve të partisë, duke i cilësuar ato “për keqardhje”.
Deputeti Avdullah Hoti ka kërkuar konventë të LDK-së për përcaktimin e ekipit që do ta udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme. Ai më herët kishte propozuar Kujtim Shalën për kryetar të LDK-së dhe Hykmete Bajramin për kandidate për kryeministre.
Abdixhiku ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “nuk rrotullohet shteti për një ambicie”.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar ai.
Hoti dhe Bajrami janë në mesin e gjashtë deputetëve të LDK-së që kanë kundërshtuar marrëveshjen e Abdixhikut me Vetëvendosjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Përplasjet mes tyre dhe Abdixhikut kanë vazhduar që nga kundërshtimi i marrëveshjes.
Abdixhiku u rikonfirmua në krye të LDK-së pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa zgjedhjet e ardhshme brenda partisë janë planifikuar për vitin e ardhshëm.