Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do të vazhdojnë takimet për zgjedhjen e presidentit, me qëllim që Kosova të mos shkojë në zgjedhje të reja.
Kurti ka deklaruar se përsëritja e zgjedhjeve në këtë kohë është e paarsyeshme.
Duke folur për gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtojnë emrin e Bekim Sejdiut për president, Kurti tha se duhet pyetur ata që kanë paralajmëruar bojkotimin e votimit.
“Vazhdojmë me takime, bisedime në mënyrë që ta zgjedhim presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet që janë të paarsyeshme”, tha Kurti.
Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar për Bekim Sejdiun si kandidat për president, por emri i tij është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së.
Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota. VV ka deklaruar se bashkë me deputetët e komuniteteve i ka 62 vota, ndërsa pjesa tjetër do të duhej të vinte nga LDK-ja.
Pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve, Abdixhiku ka deklaruar se opsioni i vetëm mbeten zgjedhjet e reja.