Errët
Ndritshëm

Gjykata Administrative vendos në favor të Prishtinës

25.08.2026

Gjykata Administrative e Kosovës ka vendosur në favor të Komunës së Prishtinës, pas padisë së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me themelimin e tri drejtorive të reja në kryeqytet.

Në vitin 2024, Komuna e Prishtinës kishte themeluar “Drejtorinë për Transformimin e Kryeqytetit”, “Drejtorinë e Pronës dhe Kadastrit”, si dhe “Drejtorinë e Planifikimit, Urbanizimit dhe Mjedisit”.

Dy të fundit ishin krijuar përmes bashkimit të drejtorive ekzistuese. Drejtoria e Pronës dhe Kadastrit përmes fuzionimit të Drejtorisë së Pronës dhe asaj të Kadastrit, ndërsa Drejtoria e Planifikimit, Urbanizimit dhe Mjedisit përmes bashkimit të Urbanizmit me Planifikimin Strategjik.

MAPL kishte kërkuar nga Komuna rishqyrtimin e vendimit, duke pretenduar se ai duhej të harmonizohej me legjislacionin në fuqi.

Pasi Komuna nuk ndërmori veprime lidhur me kërkesën, MAPL e dërgoi çështjen në gjykatë, duke kërkuar vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit.

Gjykata Administrative tashmë ka vendosur në favor të Komunës së Prishtinës.

Errët
Ndritshëm