Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale, “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës, Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, BIA, ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi duke vepruar sipas urdhrave të zyrtarëve të tij.
Ai akuzohet se ka mbledhur dhe përcjellë përmes telefonit të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Ndërsa për veprën penale “Shantazh”, Sheholli akuzohet se gjatë periudhës 2022–dhjetor 2025 ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën mbi 13 mijë euro.
Sipas aktakuzës, ai i ka kërkuar A.J.-së para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se në rast të mosdhënies së tyre do të publikonte video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin.
Rasti është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa Sheholli ndodhet në paraburgim.