Errët
Ndritshëm

Vdes punëtori i dytë i KEK-ut brenda një muaji pas aksidentit në vendin e punës

17.08.2026

Një tjetër punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës.

Viktima është Haxhi Gojnovci, i cili ka vdekur më 16 gusht 2026, rreth orës 20:30.

Sipas KEK-ut, Gojnovci, i lindur më 23 prill 1967 në Lismir të Fushë Kosovës, ishte i punësuar si “Teknik i Xehtarisë” në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit.

Aksidenti ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave të punës, derisa Gojnovci po lëvizte në zonën e ekskavatorit.

“Gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KEK-u ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.

Ky është rasti i dytë brenda pak më shumë se një muaji ku një punëtor i KEK-ut humb jetën pas një aksidenti në vendin e punës.

Më 15 korrik 2026 kishte vdekur edhe Milazim Binaku, punëtor i KEK-ut, i cili ishte lënduar rëndë më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Ai nuk kishte arritur t’u përballonte plagëve, pavarësisht trajtimit në QKUK.

Ndërkohë, KEK-u kishte njoftuar edhe në shkurt të këtij viti për vdekjen e një tjetër punëtori në vendin e punës, pas një incidenti me kamion.

Rrethanat e plota të aksidentit të fundit dhe nëse rasti po hetohet nga organet kompetente nuk janë bërë të ditura deri më tani.

Errët
Ndritshëm