Një person i kërkuar me urdhërarrest për disa vepra të rënda penale është arrestuar nga Policia Kufitare e Kosovës në afërsi të vijës kufitare me Serbinë, pasi tentoi të arratisej.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 3 gushtit, pak pas orës 22:00, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme. Gjatë patrullimit, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet të dyshimtë që kishte hyrë nga drejtimi i fshatit Breznicë në Serbi.
Automjeti është ndalur në fshatin Novosellë, ku pasagjeri, Egzon Reshani, ka tentuar të largohej me vrap drejt territorit të Serbisë.
Policia ka reaguar menjëherë, duke e ndaluar dhe arrestuar të dyshuarin pranë vijës kufitare.
Sipas Policisë, ndaj Reshanit kishte urdhërarrest aktiv dhe ai kërkohej për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë i kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë. Me autorizim të prokurorit kompetent, ndaj tij është iniciuar edhe një rast për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Pas përfundimit të procedurave policore, Reshani i është dorëzuar Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedurat e mëtejshme sipas urdhërarrestit.