Errët
Ndritshëm

Kurti pret sot Abdixhikun në Kuvend

04.08.2026

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të takohet sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, në një tjetër përpjekje për zhbllokimin e ngërçit politik dhe formimin e institucioneve të reja.

Takimi është konfirmuar nga LDK-ja dhe do të mbahet në orën 18:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës. Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut.

Ky zhvillim vjen vetëm dy ditë para seancës konstituive të Kuvendit, e caktuar për 6 gusht, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e tij përfundon më 7 gusht.

Vëmendja politike është përqendruar te raporti mes LVV-së dhe LDK-së, pasi këto dy parti konsiderohen si kombinimi më i mundshëm për zhbllokimin e situatës institucionale.

Ndërkohë, Kurti kishte ftuar në takime edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, por të dy e kanë refuzuar ftesën.

Hamza ishte takuar me Kurtin më 10 korrik, por pas atij takimi deklaroi se PDK-ja do të mbetet në opozitë.

Takimi i parë mes Kurtit dhe Abdixhikut ishte cilësuar konstruktiv, megjithëse nuk solli marrëveshje konkrete. Më pas, konsultimet u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, por pas rikonfirmimit të Abdixhikut në krye të partisë më 30 korrik, ato rifilluan.

Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues kalon në fazën e zgjedhjes së presidentit. Në rast se as presidenti nuk zgjidhet brenda afatit 60-ditor të paraparë me Kushtetutë, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Errët
Ndritshëm