Federata Egjiptiane e Futbollit ka paraqitur një protestë zyrtare pranë FIFA-s për arbitrimin e ndeshjes së 1/8 së finales kundër Argjentinës, të cilën e humbi 2-3.
Afrikanët, të pakënaqur me disa vendime të Letexier, kanë kërkuar përjashtimin e të gjithë ekipit francez nga turneu.
Sipas L’Equipe, kjo kërkesë në formën e saj aktuale ka pak shanse për sukses. Asnjë shoqatë anëtare nuk ka të drejtë të vërë veto mbi caktimet e gjyqtarëve; kjo e drejtë i përket ekskluzivisht komitetit të gjyqtarëve të FIFA-s.
Megjithatë, performanca e Letexier do të shqyrtohet. Paneli i arbitrimit do të vlerësojë kontrollin e tij mbi ndeshjen, raportet zyrtare dhe incidentet e diskutueshme përpara se të vendosë nëse ai do të vazhdojë të marrë pjesë në turne.