Grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka pritet të transferohet në Kosovë në prill të vitit 2027, ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.
Sipas tij, Burgu i Gjilanit do të funksionojë me model të bashkëmenaxhimit, ku institucioni do të udhëhiqet nga një guvernator danez dhe një drejtor kosovar. Siguria do të mbulohet nga stafi kosovar, ndërsa rendi i brendshëm do të zbatohet sipas sistemit danez.
Dibrani bëri të ditur se oficerët korrektues nga Kosova tashmë janë duke u trajnuar në Danimarkë, me grupin e parë që ka përfunduar trajnimin dhe grupin e dytë që ndodhet aktualisht në trajnim.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës, me vlerë rreth 210 milionë euro, parasheh transferimin e 300 të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit. Përveç përfitimeve financiare, ajo synon edhe transferimin e praktikave të sistemit korrektues danez, i cili konsiderohet ndër më të avancuarit në botë.