Errët
Ndritshëm

ATK nuk ka evidencë të veçantë për influencerët që fitojnë online

04.07.2026

Influencerët në Kosovë po fitojnë gjithnjë e më shumë nga promovimi i produkteve dhe shërbimeve në rrjetet sociale, por institucionet ende nuk kanë një pasqyrë të qartë për këtë treg.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të ardhurat e influencerëve janë të tatueshme, por kjo kategori nuk evidentohet veçmas në sistemin tatimor. Në prill, ATK nisi një fushatë informuese për influencerët, blogerët dhe freelancerët lidhur me detyrimet e tyre ligjore.

Ekspertët vlerësojnë se problemi nuk është mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre. Ata kërkojnë kontrolle më të rrepta, deklarim të detyrueshëm të të ardhurave dhe më shumë transparencë për reklamat e paguara.

Sipas agjencive të marketingut, influencerët në Kosovë mund të paguhen nga 200 deri në 5.000 euro për një bashkëpunim, varësisht nga fama dhe ndikimi i tyre.

Ndërkohë, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit kërkon që përmbajtjet me karakter komercial të identifikohen qartë si reklama, ndërsa në shumë vende të Bashkimit Evropian influencerët janë të detyruar të përdorin etiketa si #reklamë ose #sponsorizuar kur promovojnë produkte.

Errët
Ndritshëm