Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të ndërmarrin masa urgjente për sigurimin jetësor dhe shëndetësor të zyrtarëve policorë, pas vdekjes së një pjesëtari të Policisë së Kosovës gjatë orarit të punës në Vërmicë.
Në reagimin e saj, Sindikata thekson se ky rast dëshmon edhe një herë rrezikun e madh me të cilin përballen çdo ditë zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës në shërbim të qytetarëve dhe ruajtjes së rendit publik.
Sipas Sindikatës, humbja e jetës së një polici në krye të detyrës e rikthen në vëmendje nevojën urgjente për trajtimin e çështjeve që lidhen me mirëqenien dhe mbrojtjen e tyre, veçanërisht sigurimin jetësor dhe shëndetësor.
“Policia e Kosovës kryen detyra me përgjegjësi të lartë dhe shpesh në kushte me rrezik të shtuar për jetën dhe shëndetin e tyre. U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve të kahershme, me qëllim që zyrtarëve policorë t’u garantohet mbrojtja dhe përkrahja që meritojnë”, thuhet në reagim.