Sot është dita më e nxehtë e javës në Kosovë, me temperatura që do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), moti është kryesisht me diell dhe me vranësira të përsëritshme gjatë ditës.
Temperaturat minimale lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet arrijnë nga 32 deri në 38 gradë Celsius. Era fryn nga veriperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.
IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht personave me sëmundje kronike, të moshuarve dhe fëmijëve, që të shmangin ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në 17:00, si dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura.
Sipas parashikimeve, java e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut karakterizohen nga mot shumë i nxehtë në fillim, ndërsa nga mesi i javës depërton një masë më e freskët ajrore nga veriperëndimi i kontinentit.
Ky ndryshim sjell ulje të temperaturave, shtim të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh.