Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë fundjavës, pasi vendi pritet të përfshihet nga temperatura të larta.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, duke u bazuar në të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), gjatë ditëve në vijim do të mbizotërojë një valë e të nxehtit me intensitet mesatar.
Instituti paralajmëron se temperaturat e larta mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te grupet më të rrezikuara, si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit.
IKSHPK u rekomandon qytetarëve të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, të mbajnë ambientet sa më të freskëta, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe t’u kushtojnë kujdes të veçantë foshnjave, fëmijëve dhe personave të ndjeshëm ndaj vapës.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj fundjave temperaturat maksimale në vend pritet të arrijnë deri në 33 gradë Celsius.