Errët
Ndritshëm

Të rinjtë në Kosovë po e nisin drogën që në moshën 16-vjeçare

26.06.2026

Përdorimi i drogës te të rinjtë në Kosovë po nis gjithnjë e më herët. Qendra “Labyrinth” ka ngritur alarmin se mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 në 16 vjeç.

Sipas të dhënave të organizatës, në Kosovë vlerësohet se janë mbi 35 mijë përdorues të drogave, ndërsa çdo vit po rritet numri i fëmijëve dhe adoleshentëve që bien pre e substancave narkotike.

“Labyrinth” dhe KOMF kanë kërkuar nga institucionet që të reagojnë urgjentisht, duke theksuar se vendi vazhdon të ketë mungesë të programeve për parandalim, trajtim dhe rehabilitim të fëmijëve që përdorin drogë.

Ata paralajmërojnë se mungojnë edhe ekipet mobile dhe shërbimet e specializuara për identifikimin dhe trajtimin e rasteve në komunitet.

Sipas tyre, marihuana mbetet droga më e përdorur në Kosovë, ndërsa vitet e fundit është vërejtur një rritje e shpejtë e përdorimit të kokainës. Po ashtu, është shënuar edhe një rritje e lehtë e përdorimit të heroinës, veçanërisht në disa komunitete.

Organizatat theksojnë se fëmijët shpesh nisin të përdorin drogë për shkak të presionit shoqëror, kureshtjes, traumave, mungesës së informacionit dhe qasjes së lehtë në substanca narkotike.

Sipas tyre, përdorimi i drogës sjell pasoja të rënda për shëndetin, familjen dhe shoqërinë, prandaj kërkojnë më shumë investime në parandalim dhe mbështetje për fëmijët dhe familjet e tyre.

Errët
Ndritshëm