Errët
Ndritshëm

Qeveria me plan tjetër për gazin, jo atë që kërkon SHBA-ja

26.06.2026

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Kosova nuk po e sheh si prioritet lidhjen me rrjetin rajonal të gazit, por po fokusohet te zgjidhje të tjera si thëngjilli dhe burimet e ripërtëritshme vendore.

Sipas saj, një opsion më praktik po konsiderohet importi i gazit të lëngëzuar (LNG) përmes Vlorës në Shqipëri, ku energjia do të prodhohej dhe më pas do të transmetohej në Kosovë përmes linjës ekzistuese 400kV, pa nevojë për investime të reja të mëdha në gazsjellës.

Rizvanolli ka thënë se kjo është zgjidhje më e lirë dhe më e shpejtë sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit.

Në të njëjtën kohë, Qeveria po shtyn përpara edhe idenë e “gazifikimit të thëngjillit”, duke argumentuar se Kosova ka rezerva të mëdha të linjitit dhe se teknologjia e re do të sjellë më pak ndotje dhe kapacitete shtesë energjetike.

Nga ana tjetër, SHBA-ja po kërkon që Kosova të përfshihet në projektin rajonal të gazit amerikan dhe rrjetit të përbashkët të gazit në Ballkan.

Qeveria në detyrë thotë se mbetet e koordinuar me SHBA-në, por në praktikë po mban një qasje tjetër: duke preferuar zgjidhje alternative për energjinë, në vend të lidhjes direkte me rrjetin rajonal të gazit.

Errët
Ndritshëm