Togeri i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, ka pranuar fajësinë për spiunazh ndaj Serbisë.
Ai ka lidhur marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe rasti i tij është duke u trajtuar në Gjykatën Themelore.
Sipas aktakuzës, Jevtiq dyshohet se për një kohë ka dërguar informacione “sekrete” dhe “konfidenciale” tek Agjencia e Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Këto të dhëna, sipas prokurorisë, janë dërguar përmes WhatsApp dhe Telegram, ku ka komunikuar me një zyrtar të BIA-s me nofkën “Qira”.
“Me këto veprime, i pandehuri edhe pse në dijeni për natyrën e klasifikuar të dokumenteve dhe pasojat e mundshme, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në aktakuzë.
Rasti pritet të marrë epilog në gjykatë, ku Jevtiq mund të përballet me dënim të rëndë sipas ligjeve në fuqi të Kosovës.