Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se do të nisë procesi i rindërtimit të Xhamisë së Ibrit, një monument me rëndësi historike dhe kulturore, i ndërtuar në vitin 1777 dhe i djegur më 2 maj 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të tij, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të xhamisë, në praninë e Myftiut të Kosovës Naim Tërnava, kryeimamit Vedat Sahiti dhe Ministres së Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci.
Kurti ka bërë të ditur po ashtu se është firmosur edhe një memorandum i dytë bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, që synon promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame në vend.
Edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka konfirmuar marrëveshjen, duke theksuar se memorandumi mbështet ringritjen e këtij monumenti me vlerë historike dhe identitare.