Errët
Ndritshëm

27 vjet nga Masakra e Studimes, mbahen homazhe për viktimat

02.05.2026
559b7647 6bba 44a9 Ad71 4167894abdeb

Në 27-vjetorin e Masakrës së Studimes, akterë shtetërorë dhe politikë kanë bërë homazhe në nderim të shqiptarëve të vrarë më 2 maj 1999.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore, ku ka deklaruar se edhe sot Serbia strehon kriminelë të luftës. Ajo u shprehu mbështetje familjarëve të viktimave, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të jenë pranë tyre në çdo proces për drejtësi.

“Do të jemi pranë jush në mbledhjen e dëshmive, në prokurori, në gjykatë, në arkiv, në kujtesën publike, në shkollë dhe në diplomaci. Këtë përgjegjësi e ndiej thellë edhe unë, në detyrën që mbaj sot, dhe zotohem se Studimja nuk do të mbetet vetëm në kujtimin e familjeve, por edhe në punën e përditshme të institucioneve përfshirë të drejtësisë, që kriminelët e luftës të mos mbesin pa u ndëshkuar. Sepse Studimja, përveç dhimbjes së familjarëve, është pjesë e historisë politike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se civilët e pafajshëm u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, duke shtuar se projekti i Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ka dështuar.

“Sot, në përvjetorin e 27-të të masakrës së Studimes, me përulje dhe respekt i kujtojmë 116 civilët e vrarë më 2 maj 1999. Kujtojmë martirët e Nabërgjanit, burrat dhe djemtë e Bukoshit, si dhe të gjithë të vrarët, të zhdukurit me dhunë, të dëbuarit, të mbijetuarit, të burgosurit dhe të torturuarit e luftës së fundit në Kosovë. I kujtojmë sepse janë themel i lirisë sonë dhe kërkojmë drejtësi, sepse pa të kujtesa mbetet e paplotë dhe paqja e cunguar”, ka deklaruar ajo.

Errët
Ndritshëm