Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për rastin “Banjska”, duke dënuar tre të akuzuarit kryesorë për sulmin e armatosur të ndodhur më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.
Ata u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku një grup i armatosur rëndë kishte bllokuar fillimisht një urë në fshat dhe më pas kishte sulmuar njësitet policore, të cilat kishin dalë në vendngjarje për të larguar një kamion të vendosur në rrugë. Gjatë këtij sulmi u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.
Sipas aktakuzës dhe vendimit të gjykatës, grupi ishte i organizuar dhe i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili aktualisht ndodhet në arrati së bashku me pjesën më të madhe të të akuzuarve të tjerë.
Pas shpalljes së vendimit, familjarët e rreshterit të vrarë e kanë cilësuar dënimin me 30 vjet burgim për Dushan Maksimoviqin si të pamjaftueshëm dhe fyes, duke kërkuar dënime më të ashpra dhe vazhdimin e ndjekjes penale për pjesën tjetër të grupit.