Sulmuesi i Liverpoolit dhe i përfaqësueses së Francës, Hugo Ekitike, do t’i humbasë ndeshjet vendimtare të sezonit, si dhe Kupën e Botës 2026.
Sipas “Le Parisien”, futbollisti ka pësuar këputje të tendinit të Akilit, që konsiderohet si një nga lëndimet më serioze për një sportist.
Asgjë nuk e pengoi lojtarin të hynte në fushë në minutën e 27-të të ndeshjes së kthimit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së (0:2). Megjithatë, gjatë një sprinti të zakonshëm në “Anfield”, Ekitike u rrëzua papritur duke kapur këmbën e djathtë, ndërsa më pas u largua nga fusha me barelë dhe mes lotësh.
Ekzaminimet e detajuara që do të kryhen sot pritet të konfirmojnë nëse bëhet fjalë për këputje të plotë apo të pjesshme, por operimi dhe një periudhë e gjatë rehabilitimi janë të pashmangshme.
Sipas vlerësimeve paraprake, sulmuesi mund të rikthehet në fushë vetëm në fillim të vitit 2027.