Kuvendi i Kosovës ka themeluar me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe për trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Komisioni do t’i ketë 11 anëtarë dhe mandat deri në gjashtë muaj. Kryetar është zgjedhur Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në përbërje të komisionit janë edhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani nga VV-ja; Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja; Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja, si dhe Jovana Radosavljeviq e Emilija Rexhepi nga komunitetet.
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar që hetimi të përfshijë më shumë institucione, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar në seancë se është e gatshme të vihet në dispozicion të komisionit.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar letër institucioneve, duke alarmuar se jeta e saj ishte në rrezik.