Errët
Ndritshëm

ZRRE: Nuk pritet rritje e çmimit të rrymës në 2026

10.04.2026
Images (4)

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që gjatë vitit 2026 të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, pavarësisht presioneve në rritje në sektor.

Sipas raportit konsultativ për të Hyrat Maksimale të Lejuara, sistemi energjetik i Kosovës pritet të përballet me mungesë të prodhimit vendor, si pasojë e remonteve dhe ndërprerjeve të planifikuara në termocentralet ekzistuese. Kjo situatë do ta detyrojë vendin të mbështetet më shumë në importin e energjisë – një alternativë dukshëm më e shtrenjtë dhe e varur nga tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, për të shmangur goditjen e menjëhershme në xhepat e qytetarëve, ZRRE ka propozuar një mekanizëm të veçantë rregullator – profilizimin e kostove, pra shpërndarjen e tyre në kohë.

“Për të ruajtur qëndrueshmërinë e furnizimit dhe për të shmangur rritjen e tarifave për këtë vit tarifor, ZRRE ka propozuar shpërndarjen e kostove për dy vite”, thuhet në raportin e publikuar më 10 prill 2026.

Në praktikë, kjo do të thotë se rreth 34 milionë euro kosto për blerjen e energjisë nga KEK-u nuk do të reflektohen në faturat e vitit 2026, por do të shpërndahen ndërmjet viteve 2026 dhe 2027.

ZRRE thekson se kjo nuk është ulje reale e kostove, por vetëm shtyrje e tyre në kohë.

“Kjo qasje nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por shpërndarje të tyre për një periudhë dyvjeçare”, thuhet më tej në dokument.

Sipas Rregullatorit, pa këtë mekanizëm, qytetarët do të përballeshin me një rritje të ndjeshme të tarifave në vitin 2026, e cila më pas mund të pasohej nga një rënie në vitin 2027. Për këtë arsye, është zgjedhur një qasje më e balancuar për të ruajtur stabilitetin dhe përballueshmërinë.

ZRRE ka propozuar që të Hyrat Maksimale të Lejuara për KESCO në vitin 2026 të jenë 442.26 milionë euro – dukshëm më pak se kërkesa e kompanisë prej 528.78 milionë euro. Për krahasim, në vitin 2025 këto të hyra ishin 435.93 milionë euro.

Ndërkohë, për KOSTT janë propozuar 75.858 milionë euro, ndërsa për KEDS rreth 184 milionë euro.

Rregullatori sqaron se këto përllogaritje bazohen në parashikimet më të fundit për çmimet dhe sasinë e energjisë, si dhe në ndryshimet e kostove të shpërndarjes dhe operimit.

Po ashtu, janë bërë korrigjime në fondin për burimet e ripërtërishme të energjisë dhe në shpenzimet operative, duke u bazuar në kriteret për arsyeshmërinë e kostove.

ZRRE bën të ditur se ky është vetëm një propozim dhe pjesë e procesit të konsultimit publik. Vendimi përfundimtar për tarifat e energjisë për vitin 2026 do të merret vetëm pasi të shqyrtohen komentet e palëve të interesit dhe të votohet nga bordi i institucionit.

Errët
Ndritshëm