Ish-presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se është i bindur që gjyqtarët e Gjykatës Speciale “kanë parë dhe dëgjuar të vërtetën” lidhur me akuzat ndaj tij për krime lufte.
Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Thaçi ka folur për procesin në Hagë, ku ai, së bashku me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, po presin vendimin pas një gjykimi rreth gjashtëvjeçar.
Ai ka theksuar se ngjarjet e viteve ’90 janë të dokumentuara dhe nuk duhet të rishkruhen, duke kundërshtuar përdorimin e “provave të fabrikuara nga epoka e Millosheviqit”.
“NATO-ja erdhi në ndihmën tonë sepse e kuptoi atë që po kalonim. Pa rezistencën dhe ndërhyrjen e saj, Kosova nuk do të ekzistonte sot”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se pret që procesi të kontribuojë në të vërtetën dhe drejtësinë, duke theksuar se “e vetmja pyetje është se çfarë do të bëjnë gjyqtarët me të vërtetën”.
Sa i përket politikës në vend, Thaçi ka thënë se interesat e qytetarëve duhet të vendosen mbi ato partiake, ndërsa për idenë e shkëmbimit të territoreve ka theksuar se synimi i tij ka qenë arritja e një paqeje të qëndrueshme me Serbinë.
Në fund, ai i ka kritikuar pesë vitet e fundit si të humbura për Kosovën në raport me partnerët ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësim edhe për sanksionet e BE-së.