Errët
Ndritshëm

Kuvendi miraton në parim ligjin për çmimet tavan

10.04.2026

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet themelore, me 63 vota për, ndërsa opozita nuk e ka mbështetur.

Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore synon të ndërhyjë në raste të destabilizimit të tregut, duke kufizuar rritjen e çmimeve për produkte bazë.

Përfaqësuesit e pushtetit kanë theksuar se ligji nuk është kundër biznesit apo tregut të lirë, por synon të parandalojë abuzimet me çmimet.

Megjithatë, opozita e ka kundërshtuar ashpër këtë nismë. Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka deklaruar se ligji nuk synon uljen e çmimeve, por i jep Qeverisë kontroll të drejtpërdrejtë mbi tregun.

Sipas tij, kufizimi i marzhës tregtare nuk ka efekt kur çmimet rriten nga importi, ndërsa ka kritikuar edhe mungesën e një metodologjie të qartë për vendimet e Bordit që parashihet me këtë ligj.

Kritika ka pasur edhe nga LDK. Deputetja Janina Ymeri ka thënë se bordi nuk është i pavarur, pasi emërohet nga Ministria, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si të papranueshme në një ekonomi të tregut të lirë.

Në të njëjtën linjë, Besnik Tahiri nga AAK ka deklaruar se bordi i propozuar është politik dhe përbën një strukturë paralele brenda ministrive.

Errët
Ndritshëm