Me përfundimin e ndeshjeve të para të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, futbolli evropian po hyn në javën më vendimtare të sezonit.
Vëmendja, si zakonisht, është e përqendruar te dy gjigantët spanjollë: Barcelona dhe Real Madridi. Mirëpo, këtë herë situata për të dyja skuadrat është larg komodes, pasi kualifikimi në gjysmëfinale kërkon një përmbysje të vërtetë rezultati.
Barcelona u befasua nga një humbje 0-2 ndaj Atlético Madridit, rezultat që përmbysi krejtësisht parashikimet fillestare.
Para ndeshjes së parë, superkompjuteri i Opta-s u jepte katalanasve 68.29% shanse për fitore, kundrejt vetëm 31.71% për ekipin e Simeones. Sipas analizave, një rikthim mbetet i mundur, por vetëm nëse Barcelona luan një ndeshje perfekte.
Në anën tjetër, përballja mes PSG-së dhe Liverpoolit mbetet tërësisht e hapur, pavarësisht dominimit të francezëve në takimin e parë. “The Reds”, të njohur historikisht për “mrekullitë” në Anfield, kanë ende gjasa prej 15.34% për kualifikim.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe për Real Madridin. “Los Blancos” kanë parë një rritje të lehtë të gjasave të tyre, nga 12.52% në 13.08%, sipas përditësimit të fundit të superkompjuterit të Opta-s.
Ndërkohë, skuadra me shanset më të vogla për një përmbysje sensacionale është Sporting CP; portugezët kanë vetëm 8.36% mundësi për të eliminuar Arsenalin në Londër.