Policia britanike ka njoftuar arrestimin e dy personave lidhur me sulmin e dyshuar me zjarrvënie ndaj katër autoambulancave të komunitetit hebraik në Londrën veriore, një incident që ka shkaktuar tronditje të thellë në vend. Lajmi u raportua këtë të mërkurë nga agjencia e lajmeve, Reuters.
Të arrestuarit, të moshës 47 dhe 45 vjeç, u ndaluan në Londrën veriperëndimore dhe atë qendrore, dhe aktualisht ndodhen në paraburgim. Autoambulancave iu vu zjarri në orët e para të mëngjesit të së hënës, në një sulm që kryeministri britanik, Keir Starmer, e quajti një “sulm antisemit thellësisht tronditës”. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.
Policia, e cila ka ngritur hipotezën e një lidhjeje të mundshme me Iranin, bëri me dije se hetimet vazhdojnë, pasi pamjet e kamerave të sigurisë sugjerojnë se në ngjarje mund të jenë përfshirë të paktën tre persona. Si masë paraprake, është shtuar prania policore rreth komuniteteve të prekura në Londrën veriore.