Errët
Ndritshëm

10 palestinezë të vrarë nga Izraeli në 24 orë në Gaza

16.01.2026

Një 16-vjeçar u vra nga Izraeli në qytetin qendror Deir el-Balah.

Njëjtë iu mor jeta edhe nëntë palestinezëve të tjerë nga Izraeli në Gaza, pikërisht në kohën kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se të dyja palët kanë avancuar në fazën e dytë të një marrëveshjeje 20-pikëshe për armëpushim me Hamasin, me qëllim përfundimin e konfliktit.

Agjencia e lajmeve Wafa raportoi se ushtria izraelite bombardoi dy shtëpi në qytetin qendror Deir el-Balah të enjten në mbrëmje, ndërsa zyrtarët e shëndetësisë konfirmuan se një i mitur 16-vjeçar ishte midis gjashtë të vrarëve.

Ushtria izraelite njoftoi se një nga viktimat, Muhammad al-Hawli, ishte komandant i Brigadave Qassam, krahut të armatosur të Hamasit.

Nga Gaza, gazetari i Al Jazeera, Ibrahim al-Khalili, konfirmoi se një “figurë e lartë e Brigadave Qassam” ishte vrarë.

Në pjesë të tjera të Gazës, të paktën një person u qëllua për vdekje pranë rrethrrotullimit Al-Alam, perëndim të Rafah; një tjetër u vra në një sulm izraelit ndaj një postblloku policor pranë kryqëzimit Al-Nablusi, jugperëndim të Gaza City; dhe dy persona të tjerë humbën jetën në një sulm ajror mbi shtëpinë e familjes Al-Khatib në kampin e refugjatëve Nuseirat, në qendër të Gazës.

Hamas dënoi sulmin si një “krim të neveritshëm”, duke thënë se kjo tregon përbuzjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për armëpushimin e tetorit, por nuk konfirmoi vdekjen e një prej komandantëve të tij.

Të paktën 451 palestinezë, përfshirë mbi 100 fëmijë, janë raportuar të vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa Izraeli ka urdhëruar banorët të largohen nga më shumë se gjysma e Gazës.

Gjatë të njëjtës periudhë, tre ushtarë izraelitë kanë humbur jetën.

Errët
Ndritshëm