Errët
Ndritshëm

Prince Caffe: Rasti është keqinterpretuar dhe i orientuar gabimisht ndaj nesh

03.01.2026
Prince Cafe

Kompania Prince Caffe në një përgjigje për Shënjestër ka reaguar lidhur me rastin “Caffe Monaco 400gr.” të raportuar në sistemin evropian të sigurisë ushqimore RASFF, duke pretenduar se bëhet fjalë për një gabim administrativ në deklarimin e produktit, e jo për mall jashtë standardeve apo të rrezikshëm për konsum.

Sipas kompanisë, në dokumentacionin shoqërues produkti është deklaruar gabimisht si “Kafe”, ndërkohë që emërtimi i saktë, sipas tyre, do të duhej të ishte “Pije kafeje e përzier me përbërje bimore”. Prince Caffe thekson se ky gabim ka ndodhur vetëm në dokumentacion dhe nuk ka të bëjë me cilësinë apo sigurinë e produktit.

Kompania sqaron se rasti lidhet vetëm me një dërgesë të vetme prej 12.672 kilogramësh, e prodhuar sipas recetës dhe kërkesës specifike të një blerësi nga Kroacia, nën brendin tregtar Monaco. Sipas Prince Caffe, produkti në fjalë është private label i brendit Monaco dhe ka recetë, përbërje dhe shije të ndryshme nga produktet e Prince Caffe, duke insistuar se nuk bëhet fjalë për asnjë produkt të këtij brendi.

Nga kompania bëhet e ditur se sasia ka qenë e ndarë në dy lote, nga të cilat janë marrë mostra për analiza, pa u identifikuar ndonjë lot specifik si problematik. Po ashtu, Prince Caffe pretendon se nuk ka pasur raste të mëhershme të ngjashme, as për këtë produkt e as për produkte të tjera të kompanisë, përfshirë çështje që lidhen me acrylamidein apo substanca të tjera.

Prince Caffe deklaron se kryen analiza të rregullta laboratorike për nivelin e acrylamideit, duke përmendur edhe një raport zyrtar të datës 05.11.2025, i cili, sipas tyre, është në dispozicion të autoriteteve kompetente.

Pas njoftimit nga RASFF, kompania thotë se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me porositësin dhe përfaqësuesit e tij, si dhe me autoritetet kroate, duke përfshirë edhe diskutime për përdorimin e metodave laboratorike-kimike për uljen e nivelit të prezencës së acrylamideit, metoda që, sipas kompanisë, njihen dhe aplikohen në industrinë ushqimore.

Sa i përket shpërndarjes, Prince Caffe thekson se ky produkt nuk është shpërndarë dhe nuk gjendet në tregun e Kosovës, e as në ndonjë treg tjetër përveç Kroacisë. Kompania shton se rrjeti i shpërndarjes në Kroaci ka qenë i informuar për situatën, ndërsa përgjegjësia për brendin Monaco, sipas tyre, i takon pronarit të atij brendi.

Në reagimin e saj, Prince Caffe vlerëson se rasti është keqinterpretuar dhe keqpërdorur, duke akuzuar disa konkurrentë dhe media për, siç thuhet, interpretim të shtrembëruar, të rremë dhe tendencioz të çështjes, që e ka orientuar gabimisht vëmendjen drejt brendit Prince Caffe.

Pavarësisht kësaj, kompania thekson se vazhdon të jetë e pranishme në rrjete të njohura evropiane si Amazon, Lidl, Eurospar, Shell dhe Kaufland, duke pretenduar se kjo dëshmon standardet e larta të cilësisë dhe sigurisë së produkteve të saj.

Errët
Ndritshëm