Errët
Ndritshëm

Dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet, vendos kryetarja e Dhomave të Specializuara

12.12.2025

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, ka vendosur që dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet, edhe pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

Shala ishte dënuar me tre vjet burgim për pengim të administrimit të drejtësisë, pas marrëveshjes që kishte arritur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar për pranimin e fajësisë.

“Kryetarja vuri në dukje se z. Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do të shqyrtonte çdo modifikim të mundshëm të dënimit të tij pas dy muajsh”, thuhet në vendimin e DHSK-së.

Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari ishin dënuar për pengim të administrimit të drejtësisë. Januzi dhe Bahtijari ishin liruar me kusht në shkurt me urdhër të kryetares Trendafilova, të dy ishin dënuar me nga dy vjet burgim. Gjykata me seli në Hagë kishte konstatuar se secili prej tyre kishte qenë pjesë e një grupi që tentoi të ndikonte një person për të mos dhënë dëshmi në gjykatë, duke i premtuar përfitime.

Sipas vendimit të gjykatës, Januzi dhe Bahtijari, duke vepruar nën udhëzimet e Shalës, u takuan me dëshmitarin në shtëpinë e tij më 5 dhe 12 prill 2023. Në takimin e 5 prillit, Bahtijari i tha dëshmitarit se duhej të tërhiqte dëshminë e dhënë. Ndërsa më 12 prill, Januzi i bëri një ofertë dëshmitarit, duke i premtuar ndihmë nga Shala dhe të tjerët nëse do të tërhiqte dëshminë.

Errët
Ndritshëm