Errët
Ndritshëm

Kurti: Në 2026-n dalin municionet e para ‘Made in Kosova’

27.11.2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka bërë të ditur se njëra nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës është kërkesa për shpronësimin e pronave të paluajtshme në funksion të ndërtimit të zonës industriale në Gjakovë. Sipas tij, me miratimin e kësaj pike hapet rruga për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve në Kosovë.

“Kjo do ta rrisë sigurinë, do ta forcojë ushtrinë dhe do të zgjerojë kapacitetet tona. Ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se po e miratojmë në Ditën e Forcës. Ndërtimi i kësaj fabrike do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm, ndërsa municionet e para do të dalin në fund të vitit 2026. Zona industriale do t’u shërbejë edhe investitorëve të tjerë me të cilët jemi në kontakt, për produkte të ndryshme ushtarake – përfshirë edhe dronë ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se gjatë mandatit aktual është katërfishuar buxheti i mbrojtjes, ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar.

“Ushtrinë e kemi pajisur me sisteme të reja moderne nga shtetet anëtare të NATO-s. Janë mbi 430 milionë euro blerje të armatimit në këtë mandat. Në mandatin e ardhshëm planifikojmë të investojmë mbi 1 miliard euro. Duke rritur ushtrinë, e sigurojmë Republikën; duke forcuar kapacitetet e sigurisë, e forcojmë partneritetin me aleatët”, u shpreh Kurti.

Errët
Ndritshëm