Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës vazhduan edhe të martën grevën e përgjithshme nga ora 11:00 deri në 13:00. Si pasojë, nuk u transmetuan edicionet e lajmeve të orës 11:00 dhe 13:00.
“Sindikata u kërkon falje qytetarëve, por sqaron se greva vjen si pasojë e mos-ekzekutimit të pagave për pothuajse dy muaj,” raporton RTK-ja. Sot është dita e 25 që punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre.
Kërkesa e stafit është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ndërmarrjen e hapave ligjor për zgjidhjen e krizës financiare. Mospagesa ka mbetur peng për shkak të mosformimit të komisionit parlamentar për shqyrtim dhe miratim të raportit për RTK-në.
Gjatë muajit nëntor, punëtorët protestuan tri herë dhe mbajtën një grevë më 17 nëntor për të kërkuar miratim të buxhetit dhe pagesën e pagave.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha: “Unë dola këtu me u solidarizu me punëtorët e RTK-së, ku janë mbi 700 prej tyre të cilët i presin pagat. I kam ftuar të gjitha subjektet politike për të arritur një mirëkuptim për miratimin e raportit.”
Presidentja Vjosa Osmani më 15 nëntor i kërkoi kryeparlamentarit të adresojë vonesat në pagesat e punëtorëve për shkak të mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.