Errët
Ndritshëm

Kushtetuesja vendos: Nuk lejohet më shumë se tri propozime për të njëjtin kandidat

08.08.2025

Më 8 gusht 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë Kryetarin përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të ri.

Gjykata konstatoi se deputetët nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe, rrjedhimisht, të gjitha seancat nga 27 qershori deri më 26 korrik shpallen të pavlefshme.

U vazhdua gjithashtu masa e përkohshme e vendosur më 24 korrik, deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit.

Gjykata urdhëroi kryesuesin Avni Dehari të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe përcaktoi se i njëjti kandidat mund të propozohet deri në tre herë.

“… të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;”– thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 08.08.2025.

Deputetët janë të detyruar të jenë të pranishëm dhe të votojnë, në përputhje me nenet përkatëse të Kushtetutës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se do të respektojnë vendimin e Gjykatës ndërsa Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj në Kushtetuese, duke shprehur shqetësim për përzgjedhjen e gjyqtarit raportues. Gjykata sqaroi se ndarja e lëndëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me rregullore.

Errët
Ndritshëm