Për të 11-tën herë dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Edhe këtë herë nuk ka kaluar propozimi i LVV-së që të formohet komisioni zgjedhor për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit. Për kanë votuar 56 deputetë, kundër 1 dhe një ka abstenuar.
Pas dështimit të 11-të të konstituimit të Kuvendit, Hekuran Murati ka thënë se propozimi i LVV-së është që Nenad Rashiq të përfaqësojë komunitetin serb për nënkryetar.
“Opozita, në vend se të kundërshtojë për emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, të na bashkohet që së paku të sigurohemi se nënkryetari nuk vjen nga Lista Serbe”, tha Murati.
Ai po ashtu ka thënë se mospranimi i opozitës që të zhvillohet votim i mbyllur po tregon se ajo nuk u beson deputetëve të saj.
“Votimi i fshehtë është një mënyrë kushtetuese se si të dilet nga situata, por po e shohim që partitë opozitare vazhdojnë të mos u besojnë deputetëve të tyre”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se vonesat në konstituimin e institucioneve janë të panevojshme.
“Nëse partia e parë nuk mund ta bëjë shumicën, atëherë le ta bëjnë të tjerët një shumicë. Përgjegjësinë e kanë tri partitë e mëdha që të marrin iniciativë për ta nxjerrë vendin nga kriza”, ka deklaruar Limaj.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar sot një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, përmes së cilës e ftoi në koalicion për ta zgjidhur bllokimin e Kuvendit si dhe të qeverisin bashkë.
“Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK-në. Pse të mos e bëjmë?”, ka pyetur Kurti.
Abdixhiku ka thënë se do t’i përgjigjet Kurtit më vonë.
Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën në orën 10:00.