Me pesë vjet burgim është dënuar të enjten Aleksander Vlajiq, për veprën penale “spiunazh”.
Ndërsa, për veprën penale “armëmbajtje pa leje” u dënua me 1000 euro gjobë.
Vlajiqit iu caktua dënimi pasi e kishte pranuar fajësinë në marrëveshje me Prokurorinë Speciale.
Ai është i dënuari i parë për spiunazh qëkur Kosova e ka shpallur pavarësinë.
Vlajiç ishte arrestuar në qershor të vitit 2024, me dyshimin se kishte mbledhur dhe dërguar informacione te Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë.
Sipas Prokurorisë, ai kishte krijuar një rrjet të të punësuarve të nacionalitetit serb, prej të cilëve kishte pranuar informacione dhe raporte mbi punën e organizatave ndërkombëtare në Kosovë.
Sipas aktakuzës, këto të dhëna lidhen me aspekte politike dhe të sigurisë brenda territorit të Kosovës.
Vlajiç u shpreh se i kupton pasojat e pranimit të fajësisë.