Errët
Ndritshëm

Rriten shtesat për lehona

05.06.2025
Albin Kurti

Qeveria në detyrë ka marrë vendim për rritjen e shtesave për nënat lehona.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se për gratë lehona të papunësuara shtesat janë rritur nga 170 euro në 325.9 euro, të cilat i përfitojnë për 6 muaj.

Ndërkaq për gratë lehona të punësuara, shtesat janë rritur nga 223 euro në 319.5 euro, të cilat i përfitojnë për tre muaj, pas përfundimit të periudhës prej gjashtë muajsh pas lindjes, në të cilën punëdhënësit i paguajnë lehonat me 70 për qind të pagës.

Ai ka thënë se lajmi i tretë i mirë është për shërbyesit civilë. Sipas tij, pagat e shërbyesve këtë vit rriten dy herë nga 55 euro.

“Rritja e parë ka filluari së zbatuari nga janari, rritja e dytë do të filloj nga korriku. Kështu pagat mujore për mbi 80 mijë zyrtarë publikë do të jenë për 110 euro më të larta se sa ishim në dhjetor të vitit 2024. Paga mesatare do të arrijë në 865 euro në muaj (për zyrtarët publikë)”, ka thënë ai.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se me Ligjin e Punës parashihet që për çdo grua që lind, në 6 muajt e parë, punëdhënësi obligohet që të mbulojë 70 për qind të pagës ndërsa pjesa tjetër e pushimit të lehonisë mbulohet tre muaj me pagesë të 50 për qind të pagës mesatare nga qeveria.

“Deri më tani aktualisht paga referencë ka qenë 223 euro për gratë e punësuara, kjo po rritet në 319.5 euro”, ka thënë ai.

Errët
Ndritshëm