Errët
Ndritshëm

Ngritet aktakuzë nga Prokuroria për rastin e grabitjes së argjendarisë në Suharekë

26.05.2025

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarëve për grabitjen që ndodhi në Suharekë me datën 22 nëntor 2023.

Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve K.G., B.B., B.I., për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par. 4 lidhur me par. 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK. Po ashtu, B.B. dhe B.I., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Aktakuzë u ngrit edhe ndaj atyre që kanë ndihmuar kryerjen e grabitjes.

L.C. dhe T.B., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të grabitjes” nga neni 317, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 33 të KPRK-së. Po ashtu, T.B. ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, parag. 1 të KPRK-së.

Ata dyshohet se kanë grabitur 3 kilogramë e 71 gramë ari, në vlerë prej 133,711.34 euro.

Kështu shpjegohet rasti se si ndodhi sipas prokurorisë:

“Sipas aktakuzës, të pandehurit K.B., B.B. dhe B.I., me datë 22.11.2023 në ora 15:45 minuta në qytetin e Suharekës, në argjendarinë “D.”, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B. dhe A.B., me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme.

Të njëjtit, nisen me automjet në drejtim të Suharekës, dhe me të arritur në afërsi të argjendarisë “D.”, e ndalojnë automjetin, dhe nga automjeti dalin të pandehurit K.B., B.B. dhe B.I., të shoqëruar me të ndjerin D.G., që të gjithë të armatosur dhe të maskuar, në atë mënyrë që i pandehuri B.B., i armatosur, pret jashtë objektit në rrugë, ndërsa i pandehuri B.I. e kapërcen banakun e argjendarisë, duke ia drejtuar armën të dëmtuarit A.B., dhe të njëjtin e neutralizon në dhomën e pasme të argjendarisë, duke ia lidhur duart e duke e mbajtur nën kanosje të armës.

Pastaj, K.B., së bashku me D.G., fillojnë t’i thyejnë vitrinat ku kanë qenë të vendosura stolitë e arit, dhe me shpejtësi të madhe e mbushin një thes, dhe me armë në duar dalin nga lokali. Të njëjtit, me shpejtësi nisen në drejtim të veturës, ku ishte duke i pritur i pandehuri B.B., i cili me të parë policinë shkrep disa herë në drejtim të tyre me pushkë gjysmë automatike. Më pas, të njëjtit vazhdojnë nga fshati Sopijë në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Komunës së Ferizajt, ku nga aty dalin nga automjeti, i marrin stolitë me vete, në sasi prej 3 kilogramë e 71 gramë, duke i shkaktuar të dëmtuarit T.B. dëm në vlerë prej 133,711.34 euro.

Të njëjtit, pastaj hipin në dy automjete të tjera dhe nisen në drejtim të Prishtinës, ku njëri nga automjetet ndalet në afërsi të argjendarisë “B.” në Prishtinë, dhe arin e grabitur e dorëzojnë në lokalin e T.B., për ta fshehur dhe pastaj për ta larguar nga aty. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” sipas KPRK-së,” thuhet në njoftim.

Ndërsa T.B. akuzohet për ndihmën e dhënë grupit që të fshihet ari e argjendi i grabitur.

“Në anën tjetër, i pandehuri T.B., prej mesit të muajit nëntor të vitit 2023 e deri në momentin e arrestimit, më 30.11.2023, me dashje ndihmon të pandehurit e lartpërmendur për kryerjen e veprës penale të grabitjes. I njëjti, në argjendarinë e tij “B.”, e cila gjendet në Prishtinë, pranon nga të pandehurit B.B. dhe të tjerët stolitë e arit të grabitura në peshë prej 3 kilogramë e 71 gramë, duke i fshehur fillimisht në kasafortën e vet, e pastaj pjesën më të madhe e ka dërguar në drejtim të panjohur. Me këto veprime, secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të grabitjes” sipas KPRK-së,” thuhet në njoftim.

Errët
Ndritshëm