Tre shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në Koblenz të Gjermanisë. Rasti ka ndodhur të dielën në autostradën A48, në drejtim të Trier.
Policia njoftoi se nga aksidenti janë lënduar për vdekje një burrë 53-vjeçar dhe dy femra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Gjashtë persona të tjerë, të moshës nga 20 deri në 66 vjeç, u lënduan, disa në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën. Ata u dërguan në spital. Nuk dihet asgjë për gjendjen aktuale shëndetësore.
“Është një aksident shumë, shumë i tmerrshëm”, tha një zëdhënës i policisë në Koblenz këtë mëngjes, raporton SWR, transmeton Shënjestër.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.
“Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale”, thuhet në njoftim.
Si ndodhi rasti?
Sipas ZDF-së gjermane, minibusi ka dalë nga rruga rreth orës 03:00 për arsye ende të paqarta. Automjeti, me sa duket, u rrotullua disa herë. Asnjë veturë tjetër nuk është përfshirë, tha policia.
Autostrada u mbyll plotësisht në drejtim të Trierit gjatë operacionit të policisë dhe shpëtimit herët në mëngjes.