Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundë 7 të pandehurëve. Ata dëshohen për veprat: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2-1, lidhur me par. 3, nëpar. 3.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe D.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 parag. 3 lidhur me parag. 1 dhe 2 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, me datë 04.08.2022 në Prizren, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, për vlerësimin e ofertave në tenderin “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke mundësuar përfitim grupit të operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T. Sh.P.K.”.
Çka dyshohet se vepruan të dyshuarit për ta dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit mbi 400 mijë euro?
Të pandehurit, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurorim Publik dhe në kundërshtim me Rregullat dhe Udhëzuesin e Prokurimit Publik, në atë mënyrë që i akuzuari Xh.D., në cilësinë e kryetarit të komisionit vlerësues, Y.G., dhe Q.K., anëtarë të komisionit, i rekomandojnë autoritetit kontraktues Komunës së Prizrenit, lidhjen e kontratës në vlerë 550.000,00 €, me grupin e operatorit të lartpërmendur, përkundër faktit që pesë operatorë të përgjegjshëm që nuk janë rekomanduar nga komisioni vlerësues, kanë qenë më të lirë rreth 203.47% përkatësisht 202.771.98 € sipas çmimeve mesatare të realizuar për tetë situacione deri më datë 05.08.2024.
Ndërsa, i akuzuari S.V., menaxher i kontratës, e akuzuara L.S., mbikëqyrëse e brendshme, i akuzuari B.J., mbikëqyrës i jashtëm, gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre nuk kanë vepruar konform legjislacionit të prokurimit, dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar dëmin autoritetit kontraktues lidhur me keq menaxhimin e kontratës.
I akuzuari E.Sh., në cilësinë e drejtorit të administratës – mbikëqyrës i menaxherit të projektit, ka ndikuar që operatorët ekonomik gjatë fazës së ofertimit të manipulojnë me çmime për njësi.
Të pandehurit e lartcekur, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe qëllimisht kanë mundësuar përfitim të dobisë pasurore për grupin e operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T.” Sh.P.K, duke shkaktuar dëm autoritetit kontraktues – komunës së Prizrenit, në vlerë prej 412.584,87€. Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari D.N., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “A.T. Sh.P.K.”, Prizren, me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik, në atë mënyrë që paraqet dokumentacion të rremë sa i përket çmimeve të para- masës dhe para – llogarisë, me ç’rast shumica e pozicioneve kanë pasur çmime jo normalisht të ulëta dhe çmime spekuluese, ku nga 233 pozicione 74 pozicione nuk janë realizuar fare dhe qëllimi i uljes së çmimit në disa pozicione shumëfish nën çmimet e tregut ka qenë fitimi i tenderit. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.