Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar masën e sigurisë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike. Këtë e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari.
“Kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin refuzohet kërkesa për sigurimin e padisë tonë ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Tashmë, gati është ankesa për Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktvendimi. Beteja ligjore kundër vendimit të ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë vazhdon!”, ka shkruar ai në Facebook.
Përfaqësuesi i grupit “Asnjë cent më shumë” ka bërë të ditur se tash do të ankohet në Apel ndaj këtij vendimi.
Grupi “Asnjë cent më shumë” pati paditur Zyrën e Rregullatorit për Energji lidhur me vendimin, me të cilin është shtrenjtuar energjia elektrike për 16.1 për qind. Përmes padisë kërkohej anulimi i vendimit, pasi që është vlerësuar se ai është i kundërligjshëm. Ky grup gjithashtu ka kërkuar edhe pezullim të vendimit të ZRrE-së. E pezullimi u refuzua.
Pezullim të vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike kishte kërkuar edhe Avokati i Popullit.
“Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e vendimeve që kanë të bëjnë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike (V_2697_2025 dhe V_2698_2025), deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar për medie më 30 prill.
ZRRE-ja, më 16 prill, kishte marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë për 16,1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Ky vendim u mor pavarësisht protestave të organizuara dhe thirrjeve të qytetarëve për të mos e rritur çmimin e energjisë.
Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi që nga 1 maji.