Errët
Ndritshëm

Protesta e veteranëve e detyron Trendafilovën të anulojë konferencën për media

13.05.2025

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e ka anuluar konferencën që pritej të mbahej në Prishtinë.

Sebep u bë protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para hotelit ku po qëndronte ajo.

Nga Specialja kanë konfirmuar anulimin duke e arsyetuar me kushtet e sigurisë.

Organizatat e dala nga lufta, në një reagim të përbashkët, kanë deklaruar të hënën se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara është e papranueshme dhe fyerje.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, deklaroi se Trendafilova nuk do duhej fare të vinte në Kosovë.

“Reagimi ka qenë që Trendafilova të mos vijë fare në Kosovë. Ne e dimë se sa herë kjo vjen në Kosovë, vjen për një të keqe dhe një të zezë të Kosovës.”

Sipas OVL-së vizita e saj s’ka asgjë të përbashkët me drejtësinë dhe transparencën, teksa përmenden edhe “qasjen arrogante të Gjykatës Speciale”.

“Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Errët
Ndritshëm