Për të 15-tën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Të martën, sërish dështoi edhe formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Pro votuan 56, kundër një.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh i dalur nga zgjedhjet, ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut, e cila nuk u votua nga deputetët. Më pas, propozimi ishte që të kalohet në votim të fshehtë. Edhe kjo dështoi tash e disa herë.
Kërkesa për ndryshim të mënyrës së votimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ditë më parë nga përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Për të dalur nga kjo krizë, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dorëzuar ftesë për takim Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Të gjitha partitë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në këtë takim do të diskutohet çështja e konstituimit dhe jo ndonjë marrëveshje politike.
“VV-ja ka marrë ftesën dhe besoj se përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Takimi nënkuptohet se është për konstituim të Kuvendit, sepse s’mundet që zyra e presidentes të përdoret për marrëveshje politike, por për të diskutuar këtë proces që po dështon”, ka thënë ajo.
Për dështimin e seancës së sotme, partitë opozitare fajësojnë Lëvizjen Vetëvendosje për, siç thonë ata, ngulmimin në propozimin e Albulena Haxhiut për kryekuvendare.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kjo qasje nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje është e pakuptimtë.
“Ky insistim i Kurtit për Albulena Haxhiun është i pakuptimtë dhe është pasiguria e tij në faktin e njohur dhe të dëshmuar që s’i ka numrat për shumicë parlamentare,” ka thënë ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka theksuar se alternativat për zhbllokim të situatës në Kuvend janë në dorë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“LVV-ja i ka edhe 13 parti parlamentare që nuk iu ka bërë ofertë, sikur LDK-së, andaj janë ata që i kanë alternativat në dorë”, ka deklaruar Bajrami.
Seanca e ardhshme do të mbahet më 15 maj me fillim prej orës 10:30.